Mëndafshi. Pasuri shqiptare

-----

Prodhimi i mëndafshit: ripërtëritje e një tradite shumëshekullore.

Tek Colors of Zadrima prodhojmë me cikël të mbyllur fijen e vyer të mëndafshit. Prej vitit 2011 punojmë për ripërtëritjen, me metoda artizanale, të kësaj tradite të hershme shqiptare. Në fermën tonë familjare kultivojmë pemët e manit, gjethet e të cilave janë i vetmi ushqim i krimbit të mëndafshit. Në punishten tonë krimbi rritet në kushte optimale dhe të kontrolluara. Vezët i çelin larvat zakonisht në fund të muajit Prill. Ato zhvillohen për rreth 5-6 javë deri kur nis prodhimi i fshikëzës, nga e cila përftohen mesatarisht 800 deri në 1000 metra fije e pakëputur. Ruajtja dhe ripërtëritja e kësaj tradite shumëshekullore shqiptare na mundëson realizimin e krijimeve unike, si shallet tona të mëndafshta, të vlerësuara anembanë globit.

-----

Mëndafshi: pak histori

Mëndafshi është një prej të mirave materiale më të rëndësishme në historinë e marrdhënieve ekonomike dhe kulturore botërore. I njohur e i vlerësuar fillimisht në Kinë, ku përdorej si veshje e zgjedhur e oborrit perandorak, falë vetive të veta mëndafshi do të shndërrohej shpejt në objekt të shumëdëshiruar prej elitave të popujve të ndryshëm të botës. Kina perandorake do ta përdorë atë si mjet kryesor të shkëmbimeve të veta tregtare me perëndimin. Korridoret që mundësonin në lashtësi komunikimin dhe tregtinë mes Perëndimit dhe Lindjes së Largët do të marrin jo rastësisht emrin Rruga e Mëndafshit.
Prodhimi i këtij materiali kaq të çmuar do të mbesë për mijëra vite një sekret shtetëror kinez. Deri kur, sipas legjendës, një grup murgjish të krishterë, të dërguar në Lindje nga perandori bizantin Justiani, do të arrijnë të sjellin me vete në kthim, si mall kontrabandë, vezët e çmuara të krimbit të mëndafshit, të fshehura në bastunët e tyre prej bambuje! Kjo arritje do t’i mundësojë Konstandinopojës, kryeqytet i Perandorisë Romake të Lindjes, të shndërrohet që në shekullin e gjashtë pas Krishtit, në qendrën kryesore të prodhimit të mëndafshit, prej nga ku ky art aziatik do të përhapet ndër vite edhe në shumë zona të tjera të Mesdheut e të Europës.

-----

Mëndafshi në Shqipëri

Ndonëse nuk kemi të dhëna të sakta, përfshirja e trojeve shqiptare në perandorinë bizantine, afërsia gjeografike me Italinë e Jugut (ku prodhimi i mëndafshit do të njohë sukses të jashtëzakonshëm), si edhe kushtet mjaft të favorshme gjeografike na shtyjnë të mendojmë se prodhimi i mëndafshit në krahinën tonë mund të ketë ndodhur që herët. Faktet historike dëshmojnë gjithsesi për prodhimin e mëndafshit në Shqipëri të paktën duke filluar nga mesjeta, ndërkohë që gjatë periudhës së dominimit osman, nga trojet shqiptare eksportoheshin drejt tregjeve perëndimore sasi të konsiderueshme mëndafshi. Aftësia për prodhimin e mëndafshit ju mundësonte banorëve të trojeve shqipare, në veçanti atyre të Zadrimës, ta përdonin këtë material të çmuar dhe relativisht të shtrenjtë në veshjet e tyre karakteristike.
Rritja e krimbit të mëndafshit dhe përftimi prej tij i fijes së çmuar nga qindra familje të krahinës së Zadrimës do të vijojë edhe gjatë periudhës së komunizmit, kur prodhimi çohej për përpunim në fabrikën e Shkodrës dhe vendi arrinte ta eksportonte materialin e vyer me tonelata.